Lajmi

Dita e Fëmijëve u festua me aktivitet peshkimi dhe argëtim në natyrë

Me rastin e 1 Qershorit – Ditës së Fëmijëve, Federata e Peshkatarëve Sportiv Rekreativ e Kosovës organizoi një aktivitet të veçantë dedikuar më të vegjëlve, me fokus në edukim, argëtim dhe njohje me natyrën.
Gjatë këtij aktiviteti, fëmijët patën mundësinë të njihen nga afër me bazat e peshkimit sportiv rekreativ, duke mësuar teknikat elementare, përdorimin e pajisjeve dhe rëndësinë e sigurisë gjatë qëndrimit pranë ujit. Në kuadër të organizimit, atyre iu shpërndanë edhe dhurata simbolike, përfshirë pajisje peshkimi si shkopinj peshkimi dhe jelekë shpëtimi.
Përveç pjesës edukative, aktiviteti u shoqërua edhe me momente shoqëruese dhe relaksuese, përfshirë një drekë të organizuar në Restorantin “Pylli i Arinjve”, si dhe një vizitë në Liqenin e Badocit, ku fëmijët patën mundësinë të shijojnë natyrën dhe të kalojnë kohë cilësore së bashku.
Ky aktivitet kishte për qëllim të inkurajojë fëmijët drejt aktiviteteve në natyrë, të promovojë një stil jetese të shëndetshëm dhe të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.

Federata do të vazhdojë të organizojë aktivitete të tilla, duke krijuar mundësi që fëmijët të edukohen dhe të rriten me dashuri për natyrën dhe sportin.

FPSRK

Dita e Fëmijëve u shënua me një aktivitet edukativ dhe argëtues, ku fëmijët u njohën me peshkimin dhe kaluan një ditë të bukur në natyrë.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *