Njoftim për pjesëmarrjen e Federatës së Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë të Kosovës në Kampionatin Botëror të Peshkimit të Krapit
Federata e Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë të Kosovës ka marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Peshkimit të Krapit, i cili u mbajt në Liqenin e Mavrovës, në Maqedoninë e Veriut.
Në këtë kampionat morën pjesë 33 shtete nga vende të ndryshme të botës, me nga tri ekipe për secilin shtet, duke e bërë këtë ngjarje një takim të rëndësishëm të peshkimit sportiv ndërkombëtar.
Për Federatën tonë, kjo pjesëmarrje shënon një moment historik, pasi ishte hera e parë që Kosova përfaqësohej në një garë të këtij niveli ndërkombëtar. Valëvitja e flamurit të Republikës së Kosovës në mesin e flamujve të shumë shteteve të tjera ishte një moment krenarie dhe dëshmi e përkushtimit tonë për zhvillimin dhe promovimin e peshkimit sportiv në vendin tonë.
Ekipi ynë, i udhëhequr nga kryetari M. Vitia dhe sekretari S. Gjinolli, përfaqësoi denjësisht Republikën e Kosovës, duke treguar përkushtim, seriozitet dhe frymë sportive gjatë këtij aktiviteti ndërkombëtar.
Përtej pjesëmarrjes në garën botërore, një rëndësi të veçantë kishte edhe përvoja e fituar në këtë nivel të garave, si dhe mundësia për të krijuar kontakte dhe për të forcuar bashkëpunimin me federata dhe ekipe të njohura ndërkombëtare të këtij sporti.
Federata e Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë të Kosovës shpreh shpresën se, me mbështetjen e Ministrisë përgjegjëse për sport, ekipet tona do të kenë mundësi të marrin pjesë edhe në gara të tjera ndërkombëtare. Kjo do t’u krijonte sportistëve tanë hapësirë për të dëshmuar aftësitë dhe përgatitjen e tyre në arenën ballkanike, evropiane dhe botërore, në disiplina të ndryshme të peshkimit sportiv.
Kjo pjesëmarrje përbën një hap të rëndësishëm përpara për Federatën tonë dhe një motivim shtesë për të vazhduar punën në zhvillimin e këtij sporti, promovimin e Kosovës dhe ngritjen e nivelit të sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare.
Faleminderit të gjithë atyre që kontribuuan në realizimin e kësaj pjesëmarrjeje historike!
Federata e Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë të Kosovës




